Përshëndetje profesor i nderuar!
Romanin Tuaj, “KOHË ETHESH”, më shumë e kam lexuar nën tokë sesa mbi të, ngase udhëtimin e përditshëm e bëjë me metro. Më dukej që kjo atmosfera e nëndheshme i shkonte më shumë përmbajtjes se tij, ngaqë, në të pikaste lidhja emocionale me truallin dhe rrënjët e tij.
Sot, në mesditë, pika e fundit e romanit, ma përmbylli udhëtimin e ethshëm përbrenda stuhive të tij emocionale. Përgjatë këtij rrugëtimi mu shpërfaqen madhërishëm figurat më të rëndësishme kombëtare, që rendnin fuqishëm si një kortezh drejt lirisë, në çdo epokë të historisë e të robërisë.
Personazhet që notonin sfilitshëm në ngjarjet e përgjakshme të historisë tonë, më pikëlluan aq tronditshëm, saqë shpesh e kisha përshtypjen që në duar jam duke e mbajtur trupin e përgjakshëm të qenies sonë kombëtare, e jo librin.
Kreshnikun dhe Lulen, si dy banorët më të përmendur të këtyre faqeve, i paske pagëzuar me një dashuri të zjarret saqë, as largësia qindra kilometrash, nuk arriti ta shuante, madje përkundrazi e përndezi edhe më shumë, sa ky zjarr mori përmasa edhe më të fuqishme e u bashkua me atë të atdhedashurisë, e i cili i veshi me uniformën ushtarake dhe i kurorëzoj në dheun e tokës së tyre të shenjtë.
Zotësia e përshkrimit, stili i thukët e mjeshtëror, fjalori i begatë, ndërtimi i ndjesive deri në imtësi, skalitja e personazheve dhe njohuritë e thella historike, të ngritin dinjitetshëm në piedestalin e letërsisë sonë. Dashuria atdhetare që e përshkon me entuziazëm çdo faqe të librit, ta rrisin ndershëm autoritetin patriotik. Synimi i shkrimit tuaj është fisnik, sepse, të bëmat heroike që i kushtohen çlirimit, ju i zbërtheni aq frymëzueshëm, saqë i bëni të tjerët të vetëdijesohen për vlerat e tyre flijuese, duke i inkurajuar në përfilljen e lavdisë së tyre madhore, dhe në të njëjtën kohë, duke e thelluar dashurinë ndaj lirisë sublime, që kërkoj shumë epitete dëshmorësh.
Vlerat letrare të këtij romani më familjarizuan aq shumë me personazhet e tij, saqë nuk doja të shkëputesha nga shoqëria e tyre, por, erdhi koha ta përmbylli trishtueshëm “takimin” e rëndë, pastaj këtë libër e stivova me respekt në mesin e librave të bibliotekës sime.
Unë, përveç me fjalë të tilla, të thjeshta e të çiltra, nuk di ta shprehu ndjesinë time mbresëlënëse që ma shkaktoj çdo frazë e veprës tuaj, ashtu siç kishin ditur dy kritikët letrar, të cilët i lexova më ëndje. Me tërë qenien time ta shprehu respektin për këtë punë kolosale, e cila do lënë gjurmë frymëzuese në letërsinë tonë.
Nga lexuesi i juaj besnik Ramadan Bozhlani
Francë, 3 shtator 2022