Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka folur për vizitën e tij në Gjermani.
Ai ka shkruar se në vitin kur Këshilli i Evropës i mbush 75 vjet nga themelimi i saj, në këtë përvjetor ajo duhet të zgjerohet dhe me Kosovën si anëtare të 47-të.
“Ne duam të kontribojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate. Anëtarësimi ynë, përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se regjimet autoritare e jo-demokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Kosova po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.
“Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka shkruar ai.