Poezi nga: Evdokiya Petrovna Rostopchina
Përktheu: Drita Lazri
Kostum shqiptar plot hijeshi
Nga ngrica e dimrit më shpëto,
Më sill pak paqe e lumturi,
Nën diell të jugut më shkarko.
Moj feste, gjithë nur shqiptarke
Më bëj që t’i harroj vërtet
Dëfrime e sjellje lajkatare,
Çfarë na zë frymën në qytet!..
Ah, veç një ditë të fluturoja
Si zog i lirë në hapësirë,
Në breg të Jonit të ndaloja,
Të ngopesha me erë të dlirë!…
Do t’i dërmoja vetë me këmbë
Zakonet, kodet e pështira,
Mes trimash t’egër hijerëndë
Do të shijoja orë të lira.
Tej malesh do ta gjeja vetë
Kasollen që mban hapur derën
Dhe bujarinë e vërtetë
Te miq fisnikë e zemërgjerë.
Do gjeja paqe e lumturi
Që s’i kam njohur në pallat,
Një palikar, një trim të ri
Me sytë tërë flakë e zjarr.
(Moskë, 1835)