Gazeta ukrainase “European Pravda” duket se ia ka huqur deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në intervistën e dhënë.
Në artikullin e parë të publikuar thuhet se Bislimi e kishte përmendur luftën si një mundësi transmeton Klankosova.tv
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, siç ka treguar shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh dhe ne duhet të përgatitemi që kjo mund të ndodhë përsëri në çdo kohë”.
Por, në të dytën deklarimi u ndryshua.
“Nëse i shikoni zhvillimet në anën e Serbisë, gjithmonë mund të llogarisni me një konflikt të mundshëm dhe ka disa elementë që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se ne jemi gjithmonë vigjilentë, gjithmonë llogarisim me skenarin më të keq të mundshëm , por ne besojmë se prania e KFOR-it, trupave të NATO-s në Kosovë mund t’i pengojë këto tensione nga Serbia në një të ardhme të afërt, por është gjithmonë e mundur”, tha ai.
Numri dy i qeverisë iu referua ngjarjes që ndodhi në Banjskë, ku i vrarë mbeti polici Afrim Bunjaku.