Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh që deri më sot ka shërbyer edhe si drejtues i Forumit të Investimeve të Gjashtë Dhomave të Ballkanit Perëndimor ia ka dorëzuar mandatin homologut të tij kosovar nga Oda Ekonomike e Kosovës, Lulzim Rafuna
Në njoftimin e bërë në rrjetet sociale për këtë transferim pozite, Çadez ka përcjellë edhe një porosi në kohën kur Kosova dhe Serbia nuk arritën të dakordohen në Bruksel për çështjen e targave
“Është koha për të besuar njëri-tjetrin! Është koha për të festuar atë që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Sot vendosa dhe kërkova me dashamirësi që t’ia dorëzoj mandatin tim si kryetar i Bordit të Forumit të Investimeve të Gjashtë Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF) mikut tim të dashur Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës”.
“Le të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë për bizneset tona. Ndarja e një vizioni për rajonin tonë si zonë suksesi dhe jo si zonë konflikti. I nderuar Lulzim më lejoni t’ju shpreh nderimin dhe vlerësimin tim si drejtues i nismës tonë rajonale!”
Kjo bartje kompetencash për ta marrë në duar udhëheqjen e forumit të gjashtëshes ekonomike të Ballkanit Perëndimor erdhi si një zhvillim pozitiv vetëm një ditë pasiqë takimi rreth tetëorësh në kryeqyendrën evropiane me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian nuk solli asnjë rezultat.
Forumi i Investimeve të Gjashtë Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF) është një nismë e përbashkët e dhomave të tregtisë dhe industrisë nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, K, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, që krijoi një platformë bashkëpunimi në vitin 2017 me synimin për të ofruar një zë të përbashkët për komunitetin e biznesit në rajon për të lehtësuar kontaktet ndërbiznesore dhe për të promovuar rajonin si një destinacion investimi.
WB6 CIF përfaqëson rreth 350 mijë kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme në misionin e saj për të hapur mundësi të reja për një rrjetëzim më të fortë të komuniteteve të biznesit brenda rajonit, duke hequr pengesat e mbetura për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal si dhe duke përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve në tregjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.