Arijanet Muriqi debutoi me fanellën e Kombëtares së Kosovës në ndeshjen kundër Azerbajxhanit
Kosova e mposhti Azerbajxhanin me rezultat 4-0 në kuadër të Ligës së Kombeve me Arijanet Muriqin që këtë takim e nisi nga minuta e parë dhe pati një paraqitje fantastike, shkruan GazetaMetro.
Bernard Challandes kishte thënë pas ndeshjes se ka parë shumë cilësi te portieri i Manchester Cityt dhe kjo ishte arsyeja pse startoi me të dhe jo me kapitenin, Samir Ujkanin.
Gjiganti i Kombëtares së Kosovës në një intervistë për Sportin në KTV ka zbuluar shumëçka rreth karrierës së tij.
Muriqi fillimisht karrierën e kishte nisur si karateistë, derisa shoku i babait i tha atij që të fillon të merret me futboll.
Ylli i Cityt vendosi që të zgjedhte Kombëtaren e Kosovës pasi kështu dëshironte babai i tij.
“Dëshira e babait tim ishte që unë të luaj për Kosovën. Ndihem shumë mirë këtu,” ka thënë Ariajanet Muriqi.
“Arsyeja pse kam nisur të luaj futboll ka qenë për shkak të shokut të babait, jam marrë me sportin e karatesë, por ai më tha ta provojmë një herë futbollin. Kam qenë 11 vjeçar kur kam filluar të luaj futboll.
Muriqi beson se me një paraqitje si ndaj Azerbajxhanit do të mposhtej shumë lehtë edhe Maqedonia.
“Nëse luajmë sikur ndeshjen e kaluar, sidomos si në pjesën e dytë dhe japim gjithçka mendoj se do t’i mposhtim ata.
Ai tutje nuk la pa falendëruar Dardanët që ishin të shkëlqyeshëm gjatë 90 minutave në ndeshjen kundër Azerbajxhanit.
“I falenderoj shumë për mbështetjen e madhe të ekipit, kanë qenë të shkëlqyeshëm.
Tutje adoleshenti foli edhe për Guardiolan, tregon se i pëlqen shumë kur tekniku spanjoll i bërtet atij në stërvitje.
“Më pëlqen kur ai[Guardiola] më bërtet shumë mua kur unë bëj diçka gabim apo kur rrezikoj në stërvitje. Më pëlqen shumë kjo,” thotë Muriqi duke qeshur.
“Ai është shumë intelegjent, di shumë gjëra për futbollin,”.