Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë qëndrimit në Mitrovicë për të biseduar me përfaqësuesit e familjeve në asistencë sociale, lidhur me projektin për punësimin nga një anëtar të këtyre familjeve.
Ai po ashtu është pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi.
Sipas një komunikate, temë e bisedës ndërmjet kryetarit Bahtiri dhe Ministrit Reçica ishin problemet e shumta sociale që ka Komuna e Mitrovicës, përkatësisht bashkërendimi i aktiviteteve për zgjidhjen e këtyre problemeve, pasi që të dy u dakorduan se gjendja sociale në Komunën e Mitrovicës është më e rënda në tërë Kosovën.
Gjatë bisedës ministri Reçica, u njoftua edhe për procesin e ndarjes së banesave për familjet me gjendje të rëndë sociale në Stantërg, si dhe për gjendjen në ish-objektin e Qendrës për Punë Sociale, për ruajtjen e të cilit komuna ndanë për çdo muaj shumën prej 1.600 euro, edhe pse kjo ndërtesë është nën menaxhimin e ministrisë.
Ministri Reçica, i tha kryetarit Bahtiri se për ndërtesën e lartpërmendur ka një projekt që pritet të realizohet shumë shpejt, ndërsa për ndarjen e banesave sociale në Stantërg, tha se është mirë që nuk ka pasur probleme gjatë përzgjedhjes së përfituesve.
Pas mbarimit të bisedës në kabinetin e kryetarit, ministri Reçica dhe kryetari Bahtiri, me bashkëpunëtorët e tyre shkuan në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit ku ishin tubuar shumë qytetarë, familje të të cilëve janë përfituese të asistencës sociale.
Aty kryetari Bahtiri dhe ministri Reçica i njoftuan të pranishmit për nismën e realizimit të projektit për zbutjen e problemeve sociale të qytetarëve, përkatësisht për krijimin e kushteve për punësim të nga një anëtari të secilës familje që jeton nga asistenca sociale./Veriu.info/.