Ka hyrë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë lidhur me numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit arsimor.
Udhëzimi i botuar në ‘Fletoren Zyrtare’ përfshin gjithashtu edhe normën e punës mësimore për këto institucione.
Referuar udhëzimit, në arsimin parashkollor grupet e veçanta e nxënësve në kopshtet me ushqim në zonat urbane duhet të formohen me jo më pak se 25 nxënës, ndërsa ato në zonat rurale me jo më pak se 15 nxënës.
Ndërkohë, grupet e përziera në zonat rurale duhet të kenë jo më pak se 10 nxënës dhe në rast se ky numër nuk sigurohet, mund të formohet një grup me jo më pak se 5 nxënës.
Klasat përgatitore funksionojnë në kopshte ose shkolla të arsimit bazë dhe frekuentohen nga nxënës 5 vjeç që nuk kanë ndjekur arsimin parashkollor. Klasa përgatitore në zonat urbane të formohet me jo më pak se 25 nxënës, ndërsa në zonat rurale me jo më pak se 10 nxënës.
Ndërkohë, lidhur me drejtuesit në arsimin parashkollor, udhëzimi parashikon një drejtues për kopshtet me ose pa ushqim që kanë të paktën 4 grupe të veçanta ose të përziera. Po ashtu, edhe në kopshtet që zhvillojnë veprimtaritë e tyre pranë shkollave 9 vjeçare, do të kenë një drejtues kopshti për jo më pak se 5 grupe nxënësish./arbresh.info