Idenë e shkëmbimit të territoreve Mbretëria e Bashkuar nuk po e mbështet. Kështu ka bërë të ditur ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell.
Me shkëmbim të territoreve nënkupton se një pjesë e Veriut të Kosovës të këmbehet me Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencat për media kishte theksuar se synimi i tij është vetëm të ketë korrigjim kufijsh dhe jo ndryshimi të tyre.
“Synimi im nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi rreth 400 kilometra kufi që duhet të ndodh si demarkim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e plotë, në tërësi të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Republikën e Kosovës’’, kishte deklaruar Thaçi për media.
Ripërcaktimi i kufijve mund të hapte rrugën që Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës, gjë që do t’i çonte të dyja vendet më afër qëllimit të tyre për t’iu bashkuar BE-së. Por, kjo mënyrë sipas ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell po del të jetë e gabuar.
Ambasadori në një përgjigje dhënë për lajmi.net thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve do të sillte de-stabilizim në vend.
‘’Ne besojmë se thirrjet për ri-definimin e kufijve kombëtarë mund të jenë de-stabilizues’’, tha O’Connell.
Tutje, ambasadori thotë se siguri, stabilitet dhe prosperitet do të sillte vetëm njohja e dy shteteve me kufijtë e tanishëm.
‘’Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe rajonit më gjerë. Qeveria Britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së shteteve të pavarura sovrane me kufijtë e tyre të tanishëm’’, tha O’Connell.