Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur përgatitjet e para para ndeshjeve me Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe në Ligën e Kombeve.
Më 7 shtator, djelmoshat tanë janë mysafir të Azerbajxhanit, kurse tri ditë më vonë presin Ishujt Faroe në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas stërvitjes, mesfushori i Werder Bremenit, Milot Rashica, i është drejtuar mediave, derisa ka thënë se kundërshtari i tyre, Azerbajxhani është favorit.
“Kam pasur disa ndeshje të mira me ekipin, po ndihem mirë, jam në gjendje të mirë. Normal me Kombëtaren është gjithmonë diçka tjetër, jo vetëm unë por të gjithë do të japim maksimumin për të marrë rezultate të mira”, tha Rashica.
“Nuk do të jetë lehtë me Azerbajxhanin, nuk ka ndeshje të lehta, kemi fituar disa ndeshje miqësore, por kjo është diçka tjetër. Kemi disa ditë kohë për të analizuar kundërshtarin dhe besoj në paraqitje të mirë”, shtoi vushtrriasi.
Rashica shënoi super gol nga gjuajtja e lirë të shtunën, në fitoren 2:1 të Werderit ndaj Frankfurtit. Goli i tij erdhi në sekondat e fundit të minutave shtesë.