Shoqata “Drita Jonë” nga Vushtrria, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Unionin e Shoqatave të të Verbërve në Slloveni
—
Kryetarja e Shoqatës për Personave të Verbër dhe me Shikim të Dëmtuar “Drita Jonë” në Vushtrri, znj.Sevdije Voca, ka njoftuar për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Unionin e Shoqatave të të Verbërve dhe me Dëmtim të Pjesshëm të Shikimit të Sllovenisë (ZDSSS).
Sipas saj, ky bashkëpunim përfaqëson më shumë se një marrëveshje formale — ai është një angazhim i përbashkët për integrim, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke krijuar mundësi reale për përfshirjen aktive të personave të verbër dhe me dëmtim të shikimit në jetën shoqërore, kulturore dhe zhvillimore.
“Përmes shkëmbimit të përvojave, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave konkrete, ky partneritet do të kontribuojë në fuqizimin e individëve, ndërtimin e kapaciteteve dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara në proceset e zhvillimit, duke mos lënë askënd pas.
Besojmë fuqishëm se vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë dhe veprimit të përbashkët mund të ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe më humane.
Falënderojmë ZDSSS për besimin dhe vizionin e përbashkët”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

