“Aty ku lind liria”: Rrustem Hyseni, studenti-historian që ra dëshmor në Majdan
—
Më 26 prill 1999, në betejën e Majdanit, ra heroikisht dëshmori i kombit Rrustem Nezir Hyseni, duke vulosur me jetën e tij idealin për liri dhe atdhe.
I lindur më 5 dhjetor 1973 në fshatin Gumnishtë të Vushtrrisë, Rrustemi u rrit në një familje me traditë të thellë patriotike. Që nga gjyshi Latif Hyseni, pjesëmarrës në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare, deri te oda familjare që shërbente si vatër mikpritjeje dhe arsimimi, fryma atdhetare ishte pjesë e pandarë e formimit të tij.
Pas shkollimit fillor në Skromë dhe të mesëm në Vushtrri, ai vijoi studimet në degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Si student aktiv, mori pjesë në protestat e viteve 1997–1998, duke u dalluar për guxim dhe solidaritet. Pamjet ku ai ndihmonte të plagosurin Ali Zatriqi u transmetuan edhe nga media ndërkombëtare.
Me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustemi ndërpreu studimet dhe iu bashkua luftës. Më 5 qershor 1998 u inkuadrua në Brigadën 141 “Mehë Uka”, në Zonën Operative të Shalës së Bajgorës, ku u dallua për trimëri dhe aftësi luftarake. Mori pjesë në disa beteja të rëndësishme, duke vazhduar luftën edhe pas plagosjeve.
Në shkrimet e tij, Rrustemi la mesazhe të fuqishme shpirtërore. Në një letër për Vitin e Ri 1999, ai shkruante se ishte i lumtur që ndodhej në vijën e frontit, “aty ku do të lindë liria”.
Rënia e tij ndodhi pas nëntë ditësh luftimesh të pandërprera në Majdan, së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Pas çlirimit, trupat u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë.
Sot, emri i Rrustem Hysenit mban rrugë, shkolla dhe lapidarë, si dëshmi e përhershme e sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Rrustem Nezir Hyseni!
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së!

