Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me reagim lidhur me raportimet për mungesë të hapësirave nëpër burgje, për të arrestuarit nga aksioni i sotëm i Prokurorisë së Prizrenit për manipulim të votave.
Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi, ka deklaruar për Reporteri.net se janë të lirë rreth 800 shtretër.
Ai ka sqaruar se në mbajtje aktualisht janë 1 mijë e 758 të burgosur.
“Pas informacioneve që po qarkullojnë në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, njoftojmë opinionin publik se në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete ̈ ̈, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja”, ka deklaruar Gashi.
Ndryshe, në mesin e të arrestuarve është edhe djali i kandidatit të PDK’së, Nait Hasanit.
Aksionin për Reporteri.net e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Po, mund ta konfirmoj se është duke u zhvilluar një aksion lidhur me dyshimet për manipulim me vota. Për momentin nuk mund te japim detaje tjera pasi rasti është në procedurë”, tha Mehmeti për Reporteri.net.
Ditë më parë kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë
Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit

