Policia e Kosovës ka dalë me plan operativ për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të balotazhit, shkruan Reporteri.net.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Policia ka thënë se ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë balotazhit.
“Në zbatim të urdhrit operativ, me qëllim të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe atij rajonal të Policisë, sot më 7 nëntor 2025, është mbajtur takimi informues, këshillues e koordinues me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe menaxhmentin e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në takim u diskutuan edhe pikat e veçanta që parasheh urdhri operativ, me qëllim që të sqarohen detyrat dhe aktivitetet policore lidhur me këtë aktivitet”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, qëllimi i këtij plani është:
– krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas balotazhit.
– sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
-përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha vendet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin e balotazhit.
“Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim

