Një incident shqetësues është regjistruar të shtunën, më 12 prill 2025, në qytetin e Vushtrrisë, ku një burrë ka tentuar t’i marrë fëmijët nga ish-bashkëshortja e tij, pa një vendim të ligjshëm për kujdestari.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 18:12, ku viktima ka njoftuar se ish-partneri ka ushtruar presion dhe ka tentuar me forcë të marrë fëmijët, ndonëse procesi ligjor për kujdestari ende nuk është përfunduar.
Burime nga vendi i ngjarjes thonë se veprimi ka ndodhur në mënyrë të dhunshme, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim te nëna dhe fëmijët e mitur.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke intervistuar të dyja palët dhe, pas vlerësimit të situatës dhe konsultës me prokurorin, ka vendosur që i dyshuari të dërgohet në mbajtje. Rasti është cilësuar si “dhunë në familje”.