Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për aksidentin tragjik në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku deri tash raportohet të kenë humbur jetën 59 persona.
Kurti ndër të tjera ka shkruar se ky moment le të jetë, rikujtim i vlefshëm për kujdes të shtuar.
E plotë:
Tronditës dhe pikëllues lajmi për tragjedinë sot në Koçan të Maqedonisë së Veriut të shkaktuar nga zjarri në një klub nate, ku sipas të dhënave zyrtare deri më tani kanë humbur jetën 59 të rinj e të reja. Dhimbja sa vjen e rëndohet nga secila jetë e humbur. U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave, të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe liderëve shtetërorë të vendit tonë fqinj, ndërkaq të lënduarve u përcjellim urimet tona më të sinqerta për shërim të shpejtë dhe të plotë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme që të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme.
Teksa ndajmë dhimbjen e shprehim ngushëllime, le të jetë kjo tragjedi rikujtim i vlefshëm për të gjithë ne për kujdes të shtuar dhe respektim të protokolleve të sigurisë si në organizim ashtu edhe në standardin e infrastrukturës ndërtimore në vendin tonë.