Në 28 – vjetorin e rënies heroike të komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me Fakultetin Filozofik, Departamentin e Historisë, kanë organizuar tryezë shkencore kombëtare me titullin “Udhërrëfyesit emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: 28 vjet nga rënia e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut”.
Tryezën e hapi kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tha se është obligim moral dhe institucional që heroizimi i Zahir Pajaziti, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut të mos harrohet.
“Zahir Pajaziti ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një strateg i shquar dhe simbol i vendosmërisë për rezistencë kundër okupatorit serb. Së bashku me Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun, ata u bënë pishtarë të luftës për liri, duke dëshmuar se sakrifica për atdheun është virtyti më i lartë i një kombi”, tha kryetari Idrizi, bën të ditur Zyra për Informim e Komunës së Vushtrrisë.
Kryetari Idrizi, për guximin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare, duke u bërë simbol i rezistencës dhe frymëzim për brezat e ardhshëm, nderoj me mirënjohje familjet e të tre heronjve.
Më pas, profesorët universitarë u paraqitën me kumtesat e tyre, që në qendër kishin heroizmin e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut.
Tryeza shkencore është organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.