Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe me ftesë të Drejtorit të kompanisë ASD Lighting, z. Tony Stewart. Kjo kompani është e specializuar në fushën e ndriçimit publik inteligjent dhe njihet për teknologjitë inovative që përfshijnë dritat inteligjente të kombinuara me kamera të avancuara.
Gjatë vizitës, kryetari Idrizi u njoh nga afër me proceset dhe teknologjinë e prodhimit të kësaj kompanie, e cila ofron zgjidhje moderne për ndriçimin publik. Në takimin me Drejtorin Stewart, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet ASD Lighting dhe Komunës së Vushtrrisë, duke u fokusuar në projekte që mund të përmirësojnë ndriçimin publik dhe sigurinë në qytet.
Z. Stewart ka pranuar me kënaqësi ftesën për të vizituar Komunën e Vushtrrisë, çka shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të mundshëm mes palëve.