Qëndrimi Ditor “Horizon Education” nga Vushtrria vazhdon të bëjë bujë edhe përtej kufijve të Kosovës për kushtet dhe ambientin modern, duke fituar një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar. Platforma arkitektonike “Amazing Architecture” ka publikuar një artikull kushtuar dizajnit unik dhe inovativ të këtij institucioni, duke e cilësuar atë si një shembull të shkëlqyer të arkitekturës moderne në fushën e edukimit.
Sipas artikullit, arkitektura e “Horizon Education” është konceptuar nga studioja “Locus” dhe është projektuar për të harmonizuar bukurinë estetike me funksionalitetin praktik. Dizajni i ndërtimit veçohet për linjat e thjeshta, ndriçimin natyral dhe përfshirjen e hapësirave të hapura, të cilat krijojnë një ambient të këndshëm për të mësuar dhe zhvilluar fëmijët.
Ky vlerësim nga “Amazing Architecture” nuk është i pari për “Horizon Education”. Në nivel kombëtar, kjo qendër ka marrë disa çmime për qasjen e saj të veçantë në edukim dhe për infrastrukturën e nivelit të lartë. Tani, vlerësimi ndërkombëtar nga një platformë kaq e njohur e vendos “Horizon Education” në hartën e institucioneve më të spikatura edukative dhe arkitektonike në Europë.
Kjo arritje është një krenari jo vetëm për qytetin e Vushtrrisë, por për gjithë Kosovën, duke dëshmuar se inovacioni dhe përkushtimi mund të çojnë në rezultate që frymëzojnë dhe vlerësohen kudo në botë.