Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Shukri Buja i cili mban kodin W01453 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai në fillim të seancës mori fjalën duke thënë se e kishte statusin e të dyshuarit në këtë rast si dhe e ka të drejtën ligjore që të hesht për ta mosinkriminuar vetën.
Buja është i pranishëm në sallë së bashku me një avokat kujdestar i cili është Taulant Hodaj. Megjithatë, kryegjyqtari ua dha garancinë e mosinkriminimit nga ajo që do të thonë në Hagë, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Klankosova.tv.
Fillimisht, kryegjyqtari e njoftoi Bujën se mund të bëjë kërkesë për pushimin e hetimeve, duke shtuar se sot është i detyruar për të dëshmuar.
“Ju jeni të ftuar për të dhënë dëshmi dhe ju jeni të detyruar për të dhënë dëshmi, jeni të detyruar që ta thoni të vërteten dhe në qoftë se mendoni se mund ta inkriminoni vetën, atëherë e keni avokatin afër dhe ai mund të udhëzojë dhe ndihmojë me këshilla juridike sikur se ndodhi edhe sot”, tha kryegjyqtari.
Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë nofkë. Buja tha se nuk mund të përgjigjet.
“Nuk mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, tha Buja.
Prokurori e pyeti serish dëshmitarin se a ka qenë i njohur me nofkën “Gazetari”, pasi për të vazhduar me pyetje të tilla u lejua nga kryegjyqtari.
“Nuk mund ta konfirmoj sepse me inkriminon”, tha Buja.
Prokurori e pyeti se a ka qenë i njohur me emrin “Sokoli” në ndonjë moment kohor.
“Nuk mund të përgjigjem”, tha serish Buja.
Ai tha se nuk mund të përgjigjet se inkriminohet edhe kur u pyet se çka ka qenë LPK-ja.
Dëshmitari tha se nuk mund të përgjigjet edhe kur u pyet se a ka qenë ndonjëherë anëtar i LPK-së.
Pas kësaj, ndërhyri kryegjyqtari duke thënë se në qoftë se nuk përgjigjet në pyetje ashtu siç është udhëzuar nga trupi gjykues, atëherë ndaj tij mund të merren masa.
Ndërsa, avokati i Bujës tha se në korrespodencat që kanë pas me ZPS-në ia kanë rikujtuar edhe njëherë atyre kërkesën për përfundimin e hetimeve për shkak të kohëzgjatjes së hetimit dhe se ndonëse është si dëshmitar, klienti i tij është si i dyshuar.