Presidentja Vjosa Osmani, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei, “pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës“, duke iu referuar sulmit në kanalin e ujit të Ibër Lepencit. Udhëtimi i saj ishte planifikuar për sot në mëngjes, raporton Express.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, thuhet në njoftim.