Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se numri i ushtarëve të FSK-së përgjatë mandatit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, është dyfishuar.
Gjatë raportimit të tij para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministri është pyetur për numrin aktual të ushtarëve të FSK-së.
“4,008 (është numri i ushtarëve). Është rritur për më shumë se 2,200 (që nga fillimi i mandatit). Është dyfishim” – tha Maqedonci.
Ai po ashtu tha se gjatë viteve 2021 – 2023 janë shpenzuar rreth 249 milionë euro për blerje të sistemit të armatimit.
“Ne jemi furnizuar me uniforma, furnizojmë ushtarët gjatë gjithë periudhës. Aktualisht kemi vonesë në furnizim me çizme” – tha ndër të tjera ministri.
Gjithashtu, ministri Ejup Maqedonci gjatë raportimit në Komision, ka thënë se që nga viti 2015 e deri më tani për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me situatë të njëjtë, ku kontrata për ushqim për FSK-në përfundoi, kjo Ministri u përball edhe gjatë këtij muaji.
Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës