Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për vizitën e ish-ndërmjetësit amerikan për paqen, Richard Hollbruk, në Kosovë gjatë qershorit të vitit 1998.
Haliti tha se në ora 02:00 të natës e kishin lajmëruar se ka informata se “dikush nga UÇK-ja do ta godas Hollbrukun, do të gjuaj në të”.
“Kam mbetur i shtangur dhe kam thënë se vetëm nëse ka budallenj dhe të çmendur, e nuk e besoj se dikush nga UCK-ja e bën këtë. Ka pasur një incident që ia ka ndërprerë rrugët, ushtarët e UCK-së diku. Është rregulluar dhe më pas ka shkuar në Junik, në atë takimin e famshëm”, tha ai në “DTP te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, Haliti tregoi se në atë kohë, ushtarët e UÇK-së, nuk e kishin lënë Hollbrukun ta vazhdonte rrugën, pasi sipas tij, s’kanë pasur urdhër tjetër.
“Nuk e kanë lënë të shkojë në një rrugë, ushtarët janë ushtarë, s’kanë pasur urdhër tjetër dhe kanë pasur urdhër që kushdo që vije të mos e lënë të hyjë në zonë”.
“Ata [amerikanët] e kanë ditë më herët se Hollbruku nuk do të kalojë në mënyrën se si e ka menduar ai atëherë”, tha Haliti.