Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet e vetme që i kanë përmbushur kushtet për ta organizuar Kampionatin Evropian U27 për grupmoshat U21.
Dy shtetet do të bashkëpunojnë për ta zhvilluar Evropianin për grupmoshat e reja, ku thuhet se ndeshjet kryesore (gjysmëfinale e finale) do të zhvillohen në Serbi.
“AP” raporton se të enjten UEFA ka informuar të gjithë se vetëm Shqipëria e Serbia kanë përmbushur kriteret për ta organizuar këtë garë të rëndësishme, ndërsa vendimi përfundimtar do të tregohet më 16 dhjetor në komitetin e UEFA-s.
“UEFA tha të enjten se vetëm oferta Serbi-Shqipëri përmbushi një afat të fundit këtë javë për të paraqitur planet e detajuara të turneut. Belgjika dhe Turqia kishin shprehur interes më herët për procesin e tenderimit të planifikuar për t’u vendosur në një takim të 16 dhjetorit të komitetit ekzekutiv të UEFA-s”.
Federatat serbe dhe shqiptare të futbollit u bashkuan në maj për të planifikuar organizimin e turneut me 16 ekipe që luhet çdo dy vjet, i cili ka nevojë për tetë stadiume për të pritur 31 ndeshje.
Presidenti i FSHF-së Armand Duka para tre muajve kur informuan tifozët se synojnë të bashkëpunojnë me Serbinë, për Nacionalen tha se arsyeja e vetme është që Kosova dhe fqinjtë e tjerë nuk i plotësojnë kriteret.
“Rezultuan të jenë katër aplikues: Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Belgjika. Pikërisht është edhe ajo tema e nxehtë se pse Shqipëria së bashku me Serbinë. Shanset për të fituar vetëm Shqipëria ose Serbia, të dy federatat e kuptuan se janë të vogla”.
“Shanset për të bashkëpunuar me dikë tjetër ishin të pamundura sepse aplikimet kishin përfunduar dhe të tjerë federata fqinjë, siç mund të ishte edhe Kosova megjithëse nuk plotësohen edhe kriteret për të qenë një nga vendet sepse duhen minimalisht katër stadiume, nuk i kanë. Nuk i ka as Maqedonia e as Mali i Zi, pra prej fqinjëve tanë”, kishte deklaruar ai.