Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i është përgjigjur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, që gjatë ditës u shpreh se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Kurti për kompromis për CEFTA-n.
Zulfaj ka shkruar se Serbia e ka kushtëzuar zgjidhjen me heqjen e masave nga Kosova.
“Sot kryeministri Kurti takoi emisarin gjerman, Manuel Sarrazin, për të diskutuar për mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Pas tre vjetësh të bllokadës së Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Tani Serbia ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk lidhen. Masat e Kosovës nuk janë tregtare, por që derivojnë nga kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare, të vendosura nga autoritetet e sigurisë dhe jo nga Ministria e Tregtisë. Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti vazhdimisht e ka promovuar integrimin e mëtejmë”, ka shkruar Zulfaj në Twitter.