Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Vushtrri ka ngritur shqetësime serioze lidhur me dyshimet për kurdisje të një tenderi në vlerë prej 3.3 milionë euro për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Vushtrrisë. Sipas njoftimit të bërë publik nga dega e LDK-së, ekzistojnë informacione të besueshme që sugjerojnë ndërhyrje në specifikat e këtij tenderi, duke ngjallur dyshime për favorizim dhe manipulim të procesit.
LDK ka deklaruar se specifikat teknike të tenderit janë ndryshuar të paktën tri herë gjatë procesit të përzgjedhjes, një fakt ky që, sipas partisë, tregon për ndërhyrje të qëllimshme për të favorizuar kompani të caktuara. “Ne, si LDK Vushtrri, jemi të përkushtuar që të sigurojmë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme,” thuhet në deklaratën e tyre.
Partia ka bërë të ditur se do t’i dorëzojë të gjitha faktet dhe provat që disponon në Prokurorinë Speciale për hetime të plota dhe të pavarura. LDK thekson se nuk do të lejojë që abuzimi me fonde publike të kalojë pa pasoja dhe kërkon që çdo zyrtar i përfshirë në këtë skandal të përballet me ligjin.
“Qytetarët e Vushtrrisë meritojnë një qeverisje që vepron në interesin e tyre, jo në interesin e individëve apo grupeve të caktuara,” thuhet në deklaratë. LDK siguron se do të vazhdojë ta mbrojë këtë parim dhe të qëndrojë në krah të qytetarëve në betejën për drejtësi dhe transparencë.
Hetimet për këtë çështje pritet të marrin hov pas dorëzimit të provave në Prokurorinë Speciale, ndërkohë që LDK kërkon përgjegjësi të plotë për çdo akt të mundshëm korruptiv në këtë proces.