Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2024/2025 sonte kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për kontributin e mësimdhënësve ka organizuar pritje festive për të gjithë mësimdhënësit e kësaj komune, shkruan portali i Vushtrrisë – “Vushtrria Press”.
Në ambientet e Hotel Amazona, ku u organizua kjo pritje, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari Idrizi dhe drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj të cilët i kanë falënderuar mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave për punën e tyre.
Kryetari Idrizi ka bërë të ditur se ata po e zbatojnë kontratën kolektive të SBASHK-ut, dha siç tha ai pas dy ditësh mbi 1 milion euro komuna që drejton do të paguajë për mësimdhënësit e Komunës së Vushtrrisë.
Edhe vitin e kaluar Komuna e Vushtrrisë kishte bërë pagesat për mësimdhënësit që dalin nga kontrata kolektive.
Kujtojmë se Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2023 lëshoi mendim juridik pas kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) për opinion ligjor, pasi Ministria e Arsimit shkëputi këtë kontratë me SBASHK-un.
“Punëtorët në bazë të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të datës 18.4.2017 dhe Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të datës 22.1.2021 kanë të drejtë që në pagën e tyre të futet përqindja e inflacionit, marrë për bazë shkallën e inflacionit çdo vit, sipas Entit të statistikave të Republikës së Kosovës, ashtu siç është përcaktuar me nenin 35, pika 10 të këtyre marrëveshjeve”, shkruan ndër të tjera në opinionin e gjykatës.