Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendime të rëndësishme lidhur me incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes së xhiros së pestë midis KF Vushtrria dhe KF Fushë Kosova, në kuadër të Raiffeisen Ligës së Parë, Grupi A, për edicionin 2024/2025. Komisioni i Garave të FFK-së, pasi shqyrtoi të gjitha materialet, përfshirë raportet zyrtare të delegatëve, kontrollorëve, incizimet televizive dhe raportet e zyrtarëve të ndeshjes, mori vendimin për nisjen e procedurave disiplinore.
Vendimi i parë: Inicim disiplinor ndaj KF Fushë Kosova Motivi i këtij inicimi disiplinor është “lëshimi në organizimin e ndeshjes”, pasiqë në minutën e 14-të, loja u ndërpre për 30 minuta. Sipas raportit, disa tifozë, të dyshuar si përkrahës të KF Vushtrria, arritën prapa tribunës lindore jashtë stadiumit dhe filluan të hedhin sende të forta drejt tifozëve të KF Fushë Kosova, të cilët ishin të vendosur në tribunën lindore. Me ndërhyrjen e policisë dhe kërkesën e gjyqtarit dhe delegatit, tribuna u zbraz, dhe ndeshja vazhdoi.
Vendimi i dytë: Konfrontimi në minutën e 61-të Një incident tjetër ndodhi në minutën e 61-të, kur tifozët vendas dhe ata mysafirë u përplasën në tribunën perëndimore. Për pasojë, një tifoz u lëndua rëndë në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spital për trajtim. Kjo çoi në një ndërprerje të ndeshjes për 14 minuta, derisa tribuna perëndimore u zbraz dhe ndeshja rifilloi në qetësi deri në përfundim.
FFK, përmes këtyre vendimeve, shpreh qartë që çdo shkelje në organizimin e ndeshjeve, veçanërisht në rastet e përplasjeve të tifozëve, do të trajtohet me seriozitet të lartë dhe në përputhje me rregullat disiplinore të federatës.