Kanë filluar punimet për restaurimin dhe konzervimin e objektit të ish-Arkivit, apo siç njihet ndryshe edhe si ish-Fabrika e Vajit, në Vushtrri.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Izet Miftari, sot, bashkë me zyrtarin për Kulturë në këtë komunë, Burim Rexhepi, i cili është menaxher i kontratës, ishin për vizitë në këtë objekt, ku po bëhen punimet, bën të ditur portali “Vushtrria Press”.
Krahas monumenteve tjera kulturo-historike që ka Vushtrria, edhe ky simbolizon vjetërsinë e qytetit.
“Kryetari i komunës, z.Ferit Idrizi, dhe unë si drejtor i DKRS-së, jemi të vendosur që t’i ruajmë, dhe njëkohësisht t’i resaturojmë, konzervojmë e t’i mirëmbajmë monumentet e trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë”, tha drejtori Miftari.
Objekti i ish-Arkivit është i vjetër mbi 130 vjet. Daton që nga fundi i shekullit XIX.
Drejtori Miftari tha se, “sipas informacioneve që kemi, është ndërtuar në të njejtën kohë me Kullën në Balinc. Mjeshtërit që i kanë ndërtuar, kanë qenë nga Dibra, të njohur në popull si dibranë”.