Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka akuzuar ish-kryetarët e LDK-së, Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu për degradimin e kësaj partie.
Ajo ka thënë se degradimi i LDK-së nisi me Fatmir Sejdiun, ndërsa degradimi total u bë nga Isa Mustafa.
Gërvalla ka thënë se Sejdiu e kthehu LDK-në në degë të PDK-së.
“Duke filluar nga viti 2014, së bashku me presidenten Osmani po edhe shumë njerëz të tjerë të cilët kanë qenë figura qindore të LDK-së jemi përpjekur ta ndalim degradimin total të asaj partie. Pra ajo që filloi me presidentin Sejdiu që LDK-ja u kthye në një degë të PDK-së, pastaj degradimi total në kohën kur Isa Mustafa u bë kryetar i LDK-së. Një njëri që jo vetëm që nuk e lidh asgjë më LDK-në, por i cili në vazhdimësi gjatë qëndrimit të tij në Gjermani e ka luftuar LDK-në me të gjitha mjetet”, u shpreh ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË 1.
“Për një gjë jam e sigurtë, që LDK –ja për ato tri shkronjat të cilat e simbolizojnë përpjekjen për liri, pavarësi dhe demokraci janë gjëja e fundit të cilën e mendon politikisht Isa Mustafa. Ne jemi përpjekur në vazhdimësi ta ndalim këtë degradim. Kemi hasur në pengesa të jashtëzakonshme. Nuk kemi qenë të suksesshëm.” – ka thënë ndër të tjera ajo.