Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi bashkë me drejtorin e Arsimit, Albanez Tahiraj sot kanë pritur në takim nxënëset e Gjimnazit “Eqrem Çabej”, Tuana Grabovci dhe Suela Selimi, të cilat pas një gare kanë arritur të bëhen pjesë e një hulumtimi shkencor në Fizikë dhe Shkenca Kompjuterike në Universitetin Santa Kruz (UCSC) në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bën të ditur “Vushtrria Press”.
“Suksesi i nxënësve vushtrrias më gëzon gjithmonë, andaj ne si Komunë do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë ata që shënojnë suksese në çdo fushë, e që në këtë rast Tuanës dhe Suelës do t’i mbulojmë shpenzimet e udhëtimit.
Për pjesëmarrjen e dy nxënëseve të Gjimnazit në këtë hulumtim shkencor, një kontribut të veçantë e ka dhënë edhe shkencëtarja, Ph.D Pranvera Hyseni, të cilën e falënderoj.Tuana dhe Suela, paçi fat dhe shumë suksese!”, tha kryetari Idrizi.