“Përmes kësaj iniciative, planifikohet që 6 miliardë euro të ndahen nga BE-ja për ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro përmes realizimit të agjendës së reformave”, ka shkruar Bislimi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.
Bislimi ka njoftuar se për mundësitë dhe përfitimet që i ofron ky plan, sot është diskutuar me aktorë ekonomikë dhe biznesorë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.
“Përmes kësaj iniciative, planifikohet që 6 miliardë euro të ndahen nga BE-ja për ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat, Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro përmes realizimit të agjendës së reformave”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Ai tutje ka thënë se realizimi i kësaj agjende të reformave, do të ndikojë në tërësi pozitivisht mbi avancimin e Republikës së Kosovës në rrugëtimin evropian, si dhe do të “sjellë rezultate të prekshme në shumë fusha kyçe, e ku ndër to përfshihet dhe përmirësimi i mjedisit biznesor”.
Vendet e Bashkimit Evropian miratuan të martën një plan me vlerë 6 miliardë euro, për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor, e që synon përshpejtimin e reformave dhe rritjen ekonomike në rajon, ndërsa ata kërkojnë anëtarësimin e ardhshëm në bllok.
Siç raporton Associated Press, Këshilli i Bashkimit Evropian tha se plani, i cili mbulon periudhën nga 2024 deri në 2027, pritet të sigurojë deri në 2 miliardë euro grante (2.15 miliardë dollarë) dhe 4 miliardë euro (4.3 miliardë dollarë) në kredi. Ndihma është një kontingjent reformash që do t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor në një linjë me rregullat e BE-së.