Deputeti i LDK-së, Anton Quni, thotë se kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme.
Këtë deklaratë për Gazeta Blic e tha duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se vendi ynë duhet të jetë gati për luftë, pasi kundër nesh gjithmonë mund të nisë një sulm hibrid nga Serbia.
“Përderisa nuk zgjidhen të gjitha çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të siguronin raportet korrekte dhe paqe të qendrueshme, në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi do të nxiten forma të ndryshme të ndërhyrjeve asimetrike, hibride, deri te veprimet e armatosura brenda territorit të Kosovës. Këto kërcënime janë të vazhdueshme që nga mbarimi i luftës në qershor të vitit 1999”, deklaroi ai.
Tutje, ai tha se tanimë organet e sigurisë kanë kapacitetet e duhur në rast të intervenimit për të parandaluar rreziqet, e po ashtu edhe vet NATO, që do të kundërpërgjigjej.
“Tanimë institucionet tona të sigurisë i kanë të ngritura kapacitetet e duhura për të parandaluar dhe menaxhuar një spektër të gjerë të rreziqeve dhe në rastin e ndonjë sulmi konvencional me forcat ushtarake nga territori i Serbisë, do të detyronte vetë NATO-n që të kundërpërgjigjet”, tha deputeti.
Quni po ashtu tha se militarizimi i gjuhës nga krerët e Qeverisë krijon një lloj frike dhe tensioni te qytetarët, e që është i panevojshëm.
“Kjo gjuhë e militarizuar, më shumë theksohet për të mbuluar dhe t’u shpërqendruar nga të gjitha dështimet e Qeverisë në rrafshin politik, diplomatik dhe ekonomik, dhe po ashtu për të mbuluar aferat dhe skandalet e korrupsionit dhe nepotizmit”, përfundoi deputeti i LDK-së, Anton Quni.