Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se për Qeverinë Kurti është një shuplakë e rëndë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se raporti i DASH-it ngre alarm se në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar.
“Korrupsioni tanimë nuk është lajm për pushtetin sepse eksponentët kryesor të qeverisë i dalin në mbrojtje atyre që janë të pandehur para gjykatës për afera korruptive. Është normale që në raport citohet tekstualisht “serious government corruption”, kur qeveria mbron:
- Nagip Krasniqin dhe skandalet e tij në KEK;
- Martin Berishaj dhe milionat e tij me mafian e energjisë;
- Ridvan Muharremi dhe skandali i rezervave shtetërore që nuk erdhën kurrë;
- Faljen e miliona eurove për ambalazhuesit e ujit”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, Krasniqi ka pohuar ka probleme serioze edhe në pavarësinë e gjyqësorit dhe në kufizim e lirisë së medias.
“Në këtë raport theksohet se, ka probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit, edhe kjo është normale për Qeverinë Kurti kur Kryeministri dhe vartësit e tij bëjnë presion hapur ndaj gjyqësorit. Dhe tjetër shqetësim serioz në këtë raport janë kufizimet serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”, ka thënë Krasniqi. /Klankosova.tv