Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se është mbajtur “Trajnimi për Kontrollimin e Turmave”, në bashkëpunim me karabinierët italianë.
Në njoftim thuhet se pjesëtarët e FSK-së janë trajnuar në aspektin teorik dhe praktik në kontrollimin e turmave si dhe organizmin dhe formacionet e operimit në ambiente dhe situata të ndryshme.
“Gjithashtu pjesëtarët u sfiduan edhe në aspektet e përdorimit të pajisjeve taktike dhe përvetësimin e taktikave të reja nga instruktorët e karabinierëve italianë me qëllim të ngritjes së gatishmërisë operacionale, ndërveprueshmërisë me partnerët dhe përfitimit të shkathtësive të reja konform standardeve evropiane”.
“Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me ekipe mobile italiane kontribuon në ngritjen profesionale të Policisë Ushtarake të FSK-së, duke bërë që detyrat dhe misioni që ka Policia Ushtarake të realizohet në mënyrë sa më efikase”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv