Lidhur me bojkotin masiv të serbëve në referendumin që pritej të përcaktonte fatin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se mbetet e shqetësuar me presionin sistematik ndaj serbëve “nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit.”
Osmani akuzoi Serbinë për “interferim ilegal” në zgjedhjet e shtetit të Kosovës.
“Shqetësimi kryesor është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit. Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale. Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.” – tha Osmani.