Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë ka përmendur mekanizmat institucional të cilat i ka ndërmarrë bashkë me akterët relevantë për parandalimin e rasteve të ardhshme të dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda më pak se një jave nga bashkëshortët e tyre dhe raportimit alarmant të rasteve të dhunës në familje në javët e fundit.
Haxhiu ka thënë se ndaj rasteve të dhunës në familje duhet përgjigje e duhur institucionale dhe jo e prirur nga mentaliteti patriarkal. Ajo ka njoftuar se në takimin ndërministror mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Policisë së Kosovës e përfaqësuesve nga sistemi i drejtësisë janë dakorduar për rishikimin e Kodit Penal për rastet e dhunës në familje si dhe rishikimin e ligjit në raport me armëmbajtjet pa leje.
“Obligimet për institucionet e drejtësisë janë që të adresohet lëshimi në procedurë të rregullt në rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje, po ashtu të lëshohet udhëzim detyrues nga Kryeprokurori për të gjithë prokurorët e angazhuar në këto raste”, ka thënë ajo.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës urgjentisht të hap pozitat për shtimin e numrit të mbrojtjes së viktimave. I kemi vetëm 22 për tërë territorin e Kosovës. Gjykata Supreme të lëshojë udhëzues për politikën ndëshkimore në raport me këto fenomene, Këshilli Gjyqësor i Kosovës të adresojë rastet e dënimeve nën minimumin e saj çka parasheh Kodi Penal për rastet e dhunës në familje dhe të merr masa ndaj gjyqtarëve që kanë gjykuar në kundërshtim me ligjin në fuqi”, ka vazhduar Haxhiu.