Banorëve në rrugën “Lavdim Shaqiri” në fshatin Bukosh të Vushtrrisë iu deshën 12 vjet që të kuptonin që rruga, që u shtrua nga komuna, u shtrua edhe mbi pronën e tyre private.
Një gjë e tillë solli konflikt mes fqinjëve.
Të lodhur nga vështirësitë që po ua sjell bllokimi i kësaj rruge, banorët e lënë fajtore komunën, duke thënë se neglizhenca e tyre po i fut në bela ata.
Në një intervistë për KIKS-in, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë, Benjamin Shala, tha se janë të njoftuar për këtë problematikë.
Shala tha se ankesën e morën para Vitit të Ri, mirëpo atëkohë nuk patën buxhet për rregullimin e këtij problemi.
Për KIKS-in, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike tha se rregullimi i kësaj rruge në përputhje me pikat e saj kadastrale është në planet e komunës.
I pyetur për një datë konkrete se kur pritet të fillojë rregullimi, Shala për KIKS-in tha se mund të ndodhë në fillim të muajit mars, por që mund të ndikojë edhe situata atmosferike. /Klankosova.tv