Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbjen e dytë radhazi në miqësoret e marsit, këtë herë nga Suedia.
“Kuq e Zinjtë” bënë një paraqitje solide, por u mposhtën me rezultat minimal 1:0.
Shqipëria e nisi më mirë duke pasur dy raste me Armando Brojën, që dështoi t’i finalizonte. Sulmuesi shqiptar edhe u faullua brenda zonës, por çuditërisht gjyqtari vendosi të mos akordonte penalti.
Broja në fakt pastaj e gjeti rrjetën, duke shënuar nga afërsia mirëpo u anulua për pozitë jashtë loje.
Edhe Suedia kishte një rast të mirë mirëpo Shqipëria ishte më fat pasi Forsberg goditi shtyllën, me Strakoshën që vetëm po e shikonte topin.
Kësisoj, pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi meqenëse asnjëra nga skuadrat nuk arriti t’i finalizonte aksionet.
Edhe në pjesën e dytë, mysafirët kishin fillimisht dominimin dhe rrezikuan me Asanin e Bajramin që gjuajtën nga distanca, por iu mungoi konkretizimi.
E rregulli i pashkruar i futbollit ndodhi. Kur nuk shënon, e pëson. Pas një aksioni të shpejtë, Dejan Kulusevski dhuroi një harkim të bukur për Nilsson, që realizoi me kokë për ta kaluar Suedinë në epërsi (62’) – VIDEO.
Shqipëria tentoi ta bënte ndryshimin me Sylvinhon që bëri edhe disa ndryshime, por sërish larg konkretizimit.
Kësisoj, miqësoret përfundojnë pa fitore për Shqipërinë dhe tani lojtarët do të rikthehen në klubet e tyre për ta vazhduar sezonin, derisa kombëtarja grumbullohet sërish në muajin qershor.