Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së sotme edhe një grua në Mitrovicë, e cila ka denoncuar djalin e saj.
Sinjali mëson se 63-vjeçarja ka deklaruar se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.