Në katër komunat veriore të Kosovës, një organizatë e njohur si Mbrojtja Popullore ka nisur një fushatë duke shpërndarë fletushka që bëjnë thirrje për kundërshtuar Policinë e Kosovës.
Ndër udhëzimet e dhëna, këshillohen mënyra se si duhet të veprohet në rast të përballjes me autoritetet, si dhe si të veprohet në rast të arrestimit. Këto thirrje për kundërshtim janë shoqëruar edhe me udhëzime për përgatitjen dhe përdorimin e koktejeve molotov.
Lidhur me këtë zhvillim, Lista Serbe ka denoncuar këto thirrje, të cilat i kanë quajtur “provokime” dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos ndikohen prej tyre.
Në reagimin e tyre, LS ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së qetësisë përballë veprimeve të tilla, të cilat i shohin si të dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Më tej në reagim thuhet se, Lista Serbe rikonfirmon përkushtimin për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e popullit serb në Kosovë përmes mjeteve paqësore.