Nëntë psikologe të shkollave të Vushtrrisë, kanë pranuar sot certifikatat pas përfundimit të trajnimit “Parimet dhe puna profesionale përmes ABA për fëmijët me nevoja të veçanta: metodat dhe strategjitë e avancuara për zhvillimin funksional të fëmijëve me nevoja të veçanta”, trajnim të cilin e ka financuar Komuna e Vushtrrisë.
Ky trajnim është përkrahur nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhe është në vazhdën e përpjekjeve për gjithëpërfshirje, siguri dhe mirëqenie të nxënësve si dhe zhvillim profesional të personelit arsimor.
Drejtori për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, ka bërë shpërndarjen e certifikatave për psikologet.
Trajnimi i Analizës së Sjelljes së Aplikuar (ABA) ka një rëndësi të madhe për psikologët e shkollave në rritjen e efektivitetit të tyre në mjedisin shkollor.
ABA i pajis profesionistët me një qasje sistematike dhe të bazuar për të kuptuar, vlerësuar dhe modifikuar sjelljen, e cila është thelbësore kur adresohen nevojat e ndryshme të nxënësve.
Përmes parimeve të ABA, psikologët e shkollës mund të analizojnë me përpikëri modelet e sjelljes, të identifikojnë problemet kryesore dhe të formulojnë intervenime të përshtatura.