Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë me qëllim të menaxhimit sa më efikas të kufijve shtetërorë, në ditën kur serbët nga Kosova po udhëtojnë drejt Serbisë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Në një komunikatë thuhet se Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar.
“Policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë edhe shtimin e personelit policorë për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Të gjitha angazhimet policore në terren, përfshirë ato kufitare do të zbatohen sipas procedurave të parapara ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mundësimit të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, njofton Policia e Kosovës.
Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Kosovën me Serbin, dhe për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të ketë një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetërorë siç parashihet edhe me menaxhimin e integruar të kufirit.
Policia e Kosovës, sipas mandatit ligjor e kushtetues dhe sipas planifikimeve operacionale, do të kujdeset për ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar apo çfarëdo forme tjetër do të lëvizin brenda Kosovës në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas