Komisioni i Republikan i Zgjedhjeve në Serbi (KRZ) ka njoftuar të dielën se deri në orën 18:00, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, kanë votuar 51,93 për qind e qytetarëve, duke përjashtuar votuesit serbë nga Kosova. Në zgjedhjet e 3 prillit 2022, për hir të krahasimit, pjesëmarrja deri në orën 18:00 ka qenë 50.82 për qind.
E të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës deri në orën 20:00 në mbrëmje, ndërsa procesi zgjedhor në Serbi do të monitorohet nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe të huaj. Rezultatet preliminare priten menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Në zgjedhjet qendrore të Serbisë, marrin pjesë 18 lista zgjedhore, dy prej të cilave janë koalicione të partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci – “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Megjithatë, ka pasur kritika për mosmarrëveshjet midis përfaqësuesve politikë të shqiptarëve.
Deri në orën 16:00, në zgjedhjet serbe kanë votuar mbi 5 mijë qytetarë në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare në Serbi – Preshevë dhe Bujanoc. Mbi 11 për qind e qytetarëve kanë votuar në Preshevë nga mbi 43 mijë votues në total, kurse mbi 27 përqind e tyre kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Bujanoc. E pjesëmarrja e trupit elektoral është konsideruar e ulët.
“Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 5 mijë e 077 apo 11.71 për qind”, ka thënë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press” kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Preshevë, Alban Mehmeti, ndërsa sipas kryesuesit të KKZ-së në Bujanoc, Fejzi Beqiri, deri në orën 16:00 kanë votuar 27.46 për qind e qytetarëve nga mbi 42 mijë votues.
Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.