Ministria e Financave po kërkon edhe një “vërtetim për ndërprerje të pensionit të pleqërisë ose punës”, për qytetarët që paraqiten pranë Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në këtë ministri, për të aplikuar në skemën e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe viktimave civile.
Këtë po e konsideron shkelje ligjore dhe shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se s’mund t’u ndalohet pensioni i moshës e as ai kontributdhënës dhe se pensioni për kategoritë e luftës është ndaras dhe u takon me ligj.
“Unë mendoj se departamenti që është aty duhet t’i lëshojë një dokument se a i takon apo s’i takon pensioni, qoftë i pleqërisë, qoftë si kontributdhënës dhe ndërhyrja e ministrisë në këtë rast është shkelje ligjore, është shkelje mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, sepse nuk mund t’ia ndalosh pensionin e pleqërisë, aq më pak atë kontribut dhënës sepse është kontribut i tyre, është djersë e tyre dhe qeveria dhe në këtë rast ministria e kanë shkelur ligjin sepse dihet që ligji për kategoritë e luftës është ligj i veçantë dhe s’ka të bëjë me ligjet tjera që aplikohen në Kosovë dhe mendoj se duhet ta konsultojnë ligjin, sepse nga një ligj, cilido qoftë ai që këto kategori nuk janë pjesë e atij ligji, aplikohet padrejtësisht në një ligj tjetër dhe kohëve të fundit janë duke i realizuar këto kategori të drejtat e tyre që nga viti 2016 kur iu është pamundësuar që të marrin pensione për shkak të beneficionit të luftës që e kanë këto kategori dhe të drejtën e tyre e realizojnë përmes të drejtës me ligj”, thotë ai
Jashari thotë se Qeveria po ua shkel të drejtat që i kanë që nga viti 2016 kategoritë e luftës.
“Unë iu bëj thirrje të gjithë kategorive që padrejtësisht po tentojnë t’ua bëjnë këtë padrejtësi, që nëse vazhdojnë kështu dhe në vazhdimësi çdo ditë janë duke i realizuar këto të drejta dhe qeveria në përputhje me ligjin me shkeljen ligjore që u është bërë këtyre kategorive, ata po i realizojnë të drejtat e tyre në formë rekreative nga 2016-ta”, thekson ai për Gazeta Blic.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së i thotë ministrit Murati se e ka gabim, derisa i bën thirrje që të heq dorë nga kjo padrejtësi dhe atakimi i tij ndaj luftës së UÇK-së dhe kategorive të luftës.
“Unë i them këtij ministri e ke gabim dhe mendoj se drejtësia, organet e drejtësisë në këtë rast do ta faktojnë gabimin dhe këto kategori do ta realizojnë këtë të drejtë, sepse nuk ka në asnjë ligj ku janë zhvilluar luftërat, t’ia ndalojë një të drejtë elementare, pra siç janë pensionet e pleqërisë dhe pensionet kontributdhënëse, dhe mendoj që ai duhet të heq dorë nga kjo padrejtësi dhe është hera e fundit që duhet t’iu bëjmë thirrje kësaj qeverie dhe këtij ministri që mos të vazhdojë tutje ta atakojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategoritë e ndritura që kanë dalë nga kjo luftë”, deklaron Xhavit Jashari./Gazeta Blic/