Ish-prokurori shqiptar Besnik Muçi është shprehur se dy motivet kryesore që mund të kenë çuar në vrasjen e Liridona Ademajt nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, janë problemet familjare ose një motiv financiar.
Muçi gjithashtu tha se është e vështirë që qëllimin e vërtetë të ngjarjes ta mësojmë nga autori.
“Kur thashë që ngjarja është e zbardhur, në të gjitha elementët e saj ngjarja është e zbardhur. Elementi subjektiv është vrasje me paramendim. Qëndrimi psikik i autorit me ngjarjen është që ai ka pasur qëllim vrasjen e bashkëshortes”, tha Muçi.
“Është e vështirë që motivin dhe qëllimin e ngjarjes ta marrim nga autori. Ne nga të gjithë rrethanat objektive, duhet të nxjerrim qëllimin subjektiv të autorit. Duke parë që ngjarja dhe fshehja e saj ka qenë e mirë organizuar, tregon që ka pasur një motiv shumë të fortë”.
Sipas tij vrasja mund të kenë qenë për motive familjare që kanë qenë private, ose motiv financiar.
“Unë them që këto dyja janë motivet kryesore që e kanë çuar atë në këtë ngjarje”, është shprehur Muçi, për Euronews Albania.