Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si pjesë e një delegacioni, vëzhgoi zgjedhjet parlamentare në Serbi që u mbajtën më 17 dhjetor. Ajo thotë se shumë vëzhgues nga organizata e institucione të ndryshme, vërejtën parregullsi të mëdha, dhe se për këtë duhet të bëhet një hetim i pavarur.
Ndërkohë një ditë pas zgjedhjeve, ajo takoi të hënën presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sikur Vuçiq, ashtu dhe kryeministrja në mandatin teknik, Ana Bërnabiq, që Bashkimit Evropian i shkroi edhe letër, thonë se assesi nuk do ta zbatojnë marrëveshjen bazë e aneksin e saj për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Por politikania gjermane, në një intervistë për Klan Kosova, thotë se qeveria e re shtetërore në Beograd thjesht s’ka ku të shkojë, përpos zbatimit të ujdive.
“Ata duhet ta bëjnë këtë. Nuk më përket mua që të vendos. Së paku ne në Parlamentin Evropian, kemi qenë shumë strikt, shumë të qartë, pra nuk kemi dyshime. Ne kemi kërkuar minimumin që ne duhet të presim, nga secili që do të ecën përpara. Tani zgjedhjet përfunduan, s’ka pengesa. Në nivel nacional, shumica duket solide në Serbi. Kështu që s’ka arsyetim që të shtyhen hapat e radhës”, shtoi Von Cramon.
Sikur pala serbe, ashtu dhe ajo kosovare, sipas raportueses, duhet të lëvizin me shpejtësi në muajt e parë të vitit të ri, sepse siç thotë, procesi zgjedhor në BE mund të lë shije të hidhur.
“Shpresoj se që të dyja palët do ta kuptojnë se për çka është fjala, sepse zgjedhjet e ardhshme evropiane nuk duken mirë as për procesin e zgjerimit si të tillë, as për Kosovën. Pra duhet të jetë në interes të të gjitha palëve, që ne të pajtohemi”.
Zgjedhjet evropiane mbahen nga 6 deri më 9 qershor 2024. /Klankosova.tv