Partia Demokratike e Kosovës bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në adresimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në kuvend.
Në lidhje me këtë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se arsyeja e mosmarrjes pjesë është se Osmani, edhe këtë vit sipas tij, është sjellë në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.
“Zonja Osmani, si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm”.
“Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit”, tha Tahiri, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente, Osmani nuk shquhet për asnjë nismë, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore.
“Po ashtu, duke qenë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare”.
“Në aspektin e brendshëm, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq duke e shkelur kushtetutën në çështjen e mos dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”, tha tutje Tahiri.
Tahiri tha se Osmani ka vazhduar të hesht përballë aferës në fushën e energjisë, e cila sipas tij, protagonist e ka ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, teksa shtoi se e para e shtetit s’e ka mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
“Nga ana tjetër, zonja Osmani si presidente nuk e ka pasur as kurajon më të vogël politike dhe institucionale për të mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, proces i cili Kosovës i solli marrëveshjen më të dëmshme të mundshme – atë të Brukselit, Aneksin e saj të Ohrit dhe së fundi edhe draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si derivat i kësaj marrëveshje”.
“Pra, duke qëndruar e heshtur edhe përballë procesit të dialogut që vendit i solli autonominë politike dhe territoriale serbe në Kosovë, e në anën tjetër duke qenë kreu i shtetit dhe përfaqësuese e parë e Kosovës në politiken e jashtme, ajo ka dhënë dëshminë më të madhe që vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë”.
“Zonja Osmani si presidente, gjithashtu ka heshtur edhe ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të kryeministrit Kurti në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe procesin e dialogut në veçanti”.
“Ajo fatkeqësisht nuk e ngriti zërin as përballë kërkesave legjitime për mbështetje të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë, e aq më pak, të angazhohej për plotësimin e kërkesave të tyre elementare”, tha Tahiri.
I pari i deputetëve të PDK-së e cilësoi rolin e Osmanit si presidente, të dëmshëm dhe sipas tij, ajo do të mbahet mend edhe këtë vit vetëm për gjuhë polarizuese, përçarëse dhe si “shërbëtore e përkushtuar e Albin Kurtit dhe pushtetit të tij”.