Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka njoftuar se sot është nënshkruar kontrata komerciale në mes të KEDS-it dhe ELekstroseverit për çështjen e energjisë elektrike. Lajcak ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë që është lehtësuar nga BE-ja. Por, kështu nuk do të mendonte kryeministri i tanishëm i Kosovës dhe opozitari i dikurshëm, Albin Kurti para pak vitesh.
Kurti me shumë zell në kohën e qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte thënë se elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrësesi, shkruan Paparaci.com.
Ai deklaronte se nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat në veri, atëherë KEDS-i sipas tij do të duhet të kthehet në pronë publike.
“Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrësesi dhe nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja edhe furnizimi, nëse s’e bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria.”, kishte deklaruar kryeministri Kurti.
Gjithashtu emisari sllovak konsideron se është hap i rëndësishëm edhe për rrugën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Ai ka uruar të gjithë ata që kanë mundësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, ka shkruar Lajcak. /Paparaci.com