Mustafa përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se mediat nuk duhet t’i japin hapësirë ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit që ajo të zhvilloj monolog me gazetarë, por siç theksoi ai të ftojë njohës të arsimit.
“Mediat tona e shohin të arsyeshme të organizojnë debate për çdo natë për tema nga më të ndryshmet, por jo edhe për arsimin. Pra, arsimi trajtohet e debatohet vetëm kur ka skandale e dështime ( grevat, shpërndarja e teksteve, rezultatet e dobëta në PISA, etj.).
Jo, kjo formë e trajtimit të prolblematikave arsimore nuk i shërben përmirësimit të cilësisë së arsimit.
Gjithashtu, mediat nuk duhet t’i japin hapësirë ministres Nagavci që ajo të zhvilloj monolog me gazetarë ( shumica prej tyre me njohuri shumë të pakta në fushën e arsimit). Por duhet kërkuar nga kjo ministre që të debatojë edhe me njohës të arsimit e të cilët mund të mos mendojnë si ajo”, tha ai duke shtuar se “Një ministre që mendon se di dhe ka argumente bindëse, nuk duhet të ikë nga debati”.
Sipas tij, Kosova dhe Testi PISA kanë historinë e tyre që nga aplikimi dhe organizimi i Konferences Ndêrkombëtare në vitin 2012 me emrin “KOSOVA NË PISA 2015”.
“Që atëherë ishte vendosur qëllimi dhe rrugët që duhej ndjekur për t’i shfrytëzuar rezultatet që do dilnin nga vlerësimi i Testit Pisa. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur ende dhe me qasjen që po vazhdon kjo edhe as që pritet të ndodhë”, ka shkruar Mustafa duke paralajmëruar dhe një analizë për të çështje.